Zeka: Kushtetuesja do të vendos në favor të VV-së, gjyqtarët u kërcënuan me jetë

Zeka: Kushtetuesja do të vendos në favor të VV-së, gjyqtarët u kërcënuan me jetë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në një intervistë për Front Online, ka folur për 100 ditëshin e qeverisë “Kurti”, si dhe për mundësinë e krijimit të qeverisë së re, në krye me Avdullah Hotin.

Zeka pret që Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të VV-së, pasi që siç thotë ai, gjyqtarë të kësaj Gjykate janë kërcënuar me jetë nga zyrtarë të lartë të VV-së.

E lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë “Kurti”, Zeka ka një version tjetër.

Sipas tij Kurti është vet shkarkuar.

“Ai e ka rrejtë popullin. Ai është vet shkarkuar sepse është frikësuar që t`i hyjë punës së dialogut me Serbinë dhe në njërën anë ka thënë që unë nuk do të shkojë në dialog me Serbinë, në anën tjetër i ka dërguar letër Lajcakut dhe i ka thënë që ne vijmë por unë duhet të jem 1-shi dhe Thaçi 2-shi”, ka thënë ai.

Zeka për qeverinë “Kurti”: Në vend të ndryshimit ndodhi shkatërrimi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në një intervistë për Front Online, tha se ndonëse ishte një ndër përkrahësit më të mëdhenj të kësaj qeverie, e njëjta në vend të ndryshimit, sipas tij, ka sjellë shkatërrimin e vendit.

“Në vend të ndryshimit ndodhi shkatërrimi, rrënimi, poshtërimi, ende më i madh i këtij vendi që për fatin e keq politika e kaluara ka bërë shumë degradime në këtë vend. Në historinë politike të Kosovës, Albin Kurti do të mbahet mend si kryeministri i cili i shpalli luftë frontale, publike SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai për FO.

E fjalimeve të kryeministrit në detyrë Kurti, sipas Zekës do u`a kishte lakmi edhe Enver Hoxha.

“Fjalimi i tij në Parlamentin e Kosovës gjithmonë po flas në postin e kryeministrit se ne nuk shkojmë në Shtëpinë e Bardhë, Shtëpinë e Kuqe, Shtëpinë e Verdhë sepse atje është duke u përgatitur copëtimi i Kosovës, sepse atje janë duke u mprehur shpatat për ndarjen e Kosovës, janë fjalime që do i`a kishte lakmi Enver Hoxha prej asaj bote”, ka deklaruar ai.

Zeka: Qeveria “Kurti” i ka pasur të gjitha mundësitë t’i dërgojë njerëzit në burg e jo t’i shkarkoj

Qeveria “Kurti” gjatë këtij 100 ditëshi është përballur edhe me akuza për shkarkime të bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe atyre të Agjencive të Pavarura dhe emërimin e anëtarëve të saj.

Sipas Zekës, ka pasur prova të mjaftueshme që shume persona të shkojnë në burg e jo vetëm në shkarkime.

“Albin Kurti dhe qeveria i kanë pasur të gjitha mundësitë që me mbledh materiale faktike dhe me i dërgu njerëzit jo në shkarkim por në burg dhe këto dokumente është dashur që të dorëzohen në Prokurori”, ka thënë Zeka.

Për Front Online, Zeka tregoi se si vetëm ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës Agron Mustafa, për një ditë të vetme ka paraqitur faturë për 33 udhëtime.

“Si deputet i Parlamentit të Kosovës. me iniciativën time është formuar Komisioni Hetimor për Postë Telekomin e Kosovës dhe Valën.

Mjafton me ja u dhanë një shembull, që ish-drejtori Agron Mustafa, brenda një dite ka paraqitur fature për 33 udhëtime dhe ka marr honorar 54 mijë euro”, ka thënë Zeka për FO.

Zeka: Haki Abazi, Coronavirusi i qeverisë “Kurti”

Ish-deputeti Milaim Zeka kritika ka pasur edhe për kabinetin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Ai ka thënë që në këtë kabinet janë mbledhur njerëz antikombëtarë e anti-UÇK.

“Unë mendoj që Albin Kurti rreth vetes në kabinetin e tij ka mbledhur tërë llumin antikombëtarë, anti UCK, ka punësuar njerëz të frustruar mendërisht dhe seksualisht dhe këta njerëz janë dëshmuar në deklaratat e tyre duke filluar nga Shkelzen Gashi e shumë të tjerë”, ka thënë Zeka për FO.

Kritikën më të madhe ai e pati për zëvendëskryeministrin Haki Abazi. Kështu Zeka atë e cilësoi si “Coronavirusin” më të madh të qeverisë.

“Në anën tjetër e kam quajtur publikisht që Coronavirusi më i madh i kësaj qeverie ka qenë zëvendëskryeministri Haki Abazi, i cili prej që e njohim publikisht është marrë me akuza, me poshtërime, denigrim, me lëvizje të partive politike, kështu që mendoj që Albin Kurtit i`a kanë thyer qafën pikërisht ky lloj i këtyre këshilltareve”, ka thënë ai.

Zeka: Kurti e ka kthyer Qendrën e Studentëve në kamp përqendrimi

Pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë, Qendra e studentëve në Prishtinë u kthye në qendër karantinimi.

Por ish-deputeti Milaim Zeka kanë një cilësim tjetër për të.

Sipas tij Kurti, këtë qendër e ka kthyer në kamp përqendrimi.

“Unë mendoj që këtë pandemi e ka menaxhuar vetëm Zoti lart.

Në anën tjetër qeveria “Kurti”, e ka kthyer Qendrën Studentore në një kamp përqendrimi, për njerëz që kanë ardhur, kanë hyrë dhe kanë dal në bazë të njerëzve të njohur që kanë pasur qoftë në Qeveri, qoftë në ministri.

Rasti i vetëvrasjes të të riut nga Gjilani është njëri nga shembujt e shumtë të tmerrit që e kanë përjetuar njerëzit në këtë kamp”, ka thënë ai.

“Kurti për 1000 teste të Serbisë i`a mori fytyrën Kosovës”

Edhe po t`i Serbia jepte 100 milionë dollarë për reklamë nuk do t`i ndihmonin aq sa i ndihmuan 1000 teste për Coronavirus të pranuara nga Kurti.

Kështu deklaroi Milaim Zeka në një intervistë për FO.

“Për 1000 teste të pandemisë i`a morën fytyrën Kosovës.

Serbia u bë top lajm ndërkombëtarë.

Me pas pagur Serbia diku 100 milionë dollar në reklamë pozitive për shtetin serb, nuk kish arrit me ba sa i ka bërë Albin Kurti me 1000 teste të pranuara nga Serbia”, ka thënë Zeka.

Dekreti i presidentit të vendit Hashim Thaçi për mandatarin për formimin e qeverisë së re është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri më 29 maj të këtij viti, pas ankesës së VV-së.

E lidhur me këtë Zeka, ka thënë që vendimi do të jetë në favor të VV-së, pasi që sipas tij gjyqtarët e kësaj gjykate janë kërcënuar me jetë nga militantët e VV-së.

“Brenda për brenda Gjykatës Kushtetuese kam pasur informacione të sakta se njerëzit e nivelit më të lartë të lëvizjes “Vetëvendosje” i kanë kërcënuar gjykatës e Kushtetueses.

Simpatizantët e lëvizjes “Vetëvendosje”, i kanë kërcënuar këta njerëz me vrasje me u`a pre familjen qysh po na kërcënojnë edhe neve”, ka thënë ai për FO.

Zeka poashtu shtoi se Gjykata po ka presion të vazhdueshëm edhe nga kryeministri në detyrë Kurti.

“Na ka treguar përralla, video-incizime, tash ndërhyn në punën e Gjykatës Kushtetuese.

Albin Kurti çdo ditë prononcohet, çdo ditë i bën presion Gjykatës Kushtetuese.

Fakti që ai thotë që Qeveria do të vazhdojë, është presioni më i madh që i bëhet kësaj Gjykate, sepse ai duhet të thotë që si kryeministër do të pres vendim”, ka thënë ai.

Zeka: Nënshkruesi i marrëveshjes me Serbinë do të jetë Hashim Thaçi

Ish-deputeti Milaim Zeka për Front Online, ka folur rreth mundësisë së formimit të qeverisë “Hoti”. Ai ka thënë që kjo qeveri do t`i ketë tri sfida.

“Qeveria Hoti i ka tri sfida. E para është liberalizimi i vizave, sfida e dytë është përfundimi i dialogut me Serbinë dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare dhe ajo numër tre është rimëkëmbja e ekonomisë totalisht të shkatërruar të këtij vendi.

Kam bindje shumë të madhe që ky njeri duke qenë një ekonomist i mirë në këtë pikën e tretë do të bëj ndryshime radikale”, ka thënë Zeka.

Zeka është shprehur optimist që BE-ja dhe ShBA-të do ti japin dritën jeshile Kosovës për liberalizimin e vizave.

“BE-ja dhe SHBA-të kësaj qeveria do t`ia japin si dhuratë liberalizimin e vizave në mënyrë që të hapin të gjitha mundësisë për arritjen e një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo marrëveshje ma merr mendja që do të përfundoj deri në vitin e ardhshëm.

Nënshkrues i kësaj marrëveshje sipas meje do jetë presidenti Thaçi.

Marrëveshja ka dy rrugë për t`u aprovuar. Ose përmes Kuvendit ose përmes një referendumi gjithë popullor”, ka deklaruar Zeka ./FO/