Vitia: Sakrifikuam shumë…

Vitia: Sakrifikuam shumë…

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, pas mbledhje së Qeverisë, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në një konferencë të përbashkët për media, ka bërë prezantimin e vendimeve që ka marrë kabineti qeveritar, e që kanë të bëjnë me liberalizimin e mëtutjeshëm të masave ndaj pandeminë COVID–19.

Fillimisht, kryeministri në detyrë Kurti, falënderoi të gjithë qytetarët e Republikës, të cilët edhe kur këto masa kanë qenë tejet rigoroze, me një kulturë qytetare të jashtëzakonshme, me një disiplinë që buronte nga ndërgjegjja njerëzore me një përmasë të pashembullt kanë respektuar të gjitha vendimet e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Shëndetësisë dhe këshillat e mjekëve të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, tha se fakti që po hiqen gjithë këto masa nuk do të thotë që duhet të heqim edhe kujdesin tonë.

Vazhdon të jetë e domosdoshme që të gjitha udhëzimet, këshillat e IKSHPK-së, të jenë të respektuara në plotni, e gjithashtu të ndiqen me vëmendje vendimet e ardhshme të Ministrisë së Shëndetësisë që bazohen në rekomandime shkencore të IKSHPK-së

Fjala e plotë e ministrit në detyrë Arben Vitia:

Ju faleminderit kryeministër,

Të nderuar media të pranishme, gazetarë

Të nderuar qytetarë,

Ashtu siç jeni njoftuar edhe më herët, qysh nga fillimi kur kemi bërë planifikim e rihapjes graduale nga data 4 maj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë analiza pothuajse të përditshme epidemiologjike në teren dhe pas rekomandimeve të fundit që kanë ardhur nga Instituti, ato garantojnë se ekziston më një rrezik i reduktuar për pandeminë COVID 19 dhe në bazë të këtyre analizave kemi marrë vendime që të rihapen edhe disa aktivitete të planifikuara edhe më parë, nga 4 maj pra, në fazën e tretë.

Mbrëmë vonë bashkë me disa nga ministritë e linjës, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, MEPTINIS, janë paraqitur rekomandimet e fundit nga ana jonë, po janë marrë edhe rekomandimet nga ana e ministrive përkatëse, dhe më lejoni që sot ta shpreh se jam i lumtur që po prezantojmë hapjen e fazës së tretë e cila fillon nga nesër, 1 Qershor.

Në këtë fazë ne kemi arritur si rezultat i bashkëpunimit të të gjithëve, e sidomos të qytetarëve të Kosovës për të cilët jemi shumë falënderues.

Gjatë periudhës së fazës së dytë, ashtu siç përmenda, Ministria e Shëndetësisë, së bashku me IKSHPK-në, ka monitoruar situatën epidemiologjike dhe ka vlerësuar se kushtet janë të mjaftueshme për hapjen e fazës së tretë sipas planit fillestar.

Që t’i mbërrinim sipas këtyre afateve që i vendosëm vetes dhe detyra, pa plotësimin e të cilave nuk do të mund të merrnim sot vendimin për fillimin e hapjes së aktiviteteve të fazës së tretë kanë kontribuar të gjithë, dhe faleminderit të gjithëve.

Pra, falë organizimit dhe punëve të kryera mund të vijohet me kalendarin e publikuar në fillim të majit, duke qenë të bindur se të gjitha palët në sektorin publik dhe privat tashmë i kanë marrë masat për të përballuar normalitetin e ri.

Prej nesër do të hapen:

Çerdhet e kopshtet për moshat 0-5 (publike dhe private)
Do të hapen kufijtë kryesorë tokësorë të Republikës së Kosovës, ndërsa pas një jave do të bëhet vlerësimi për mundësinë e hapjes së kufijve ajror
Do të hapet i gjithë sektori i gastronomisë dhe shërbimeve të ngjashme
Do të hapen qendrat tregtare
Do të kthehen në punë të gjithë zyrtarët publikë në të gjitha nivelet e institucioneve
Do të hapen të gjitha veprimtaritë e barnatoreve
Do të fillojnë aktivitetin taksitë.

Natyrisht, të gjitha këto aktivitete janë të mundshme me masat mbrojtëse konform rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë.

Mbetet obligim i të gjitha institucioneve që do të fillojnë punën që të kujdesen për zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Ashtu siç mbetet obligim i institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Njëherit, ju bëjmë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të jenë bashkëpunues ashtu siç kanë qenë deri tani.

Deri këtu arritëm së bashku.

Kjo ka qenë periudha më e vështirë e Kosovës në këto vitet e fundit, por edhe periudha kur me mijëra shërbyes publikë dhe privatë, bashkë me qytetarë nga shtresa të ndryshme shoqërore, ecëm nëpër një rrugë të panjohur më parë krah për krah dhe me vetëmohim.

Ne rrezikonim gjithçka në fund të shkurtit dhe pas rasteve të para me 13 mars.

Objektivisht ne ishim me të rrezikuarit në të gjithë rajonin tonë dhe në kontinentin ku bëjmë pjesë.

Kufijtë e shteteve pranë nesh u mbyllën dhe vendet e BE-së ndalën eksportin e pajisjeve medicinale për një kohë.

Përtej sektorit të shëndetësisë, vendi ynë u gjet me shumë pak, për të mos thënë me aspak kushte materiale dhe përvojë apo praktika për vetëmbrojtje nga qytetarët invidualisht apo kolektivisht.

Kishim në dispozicion specialistët e fushës, dijen shkencore dhe një lloj vendosmërie titanike.

Deri këtu kemi arritëm pra së bashku.

Me shumicën që ndihmuan dhe punuan. Mësuam e pësuam shumë, por e mbrojtëm Kosovën nga kolapsi i shëndetit publik.

Ndaj tani mund të hyjmë në Fazën III me një përvojë të fituar gjerësisht dhe me vetëdije të lartë për protokollin e mbrojtjes së shëndetit.

E di që për operatorët e shërbimeve tani protokollet e mbrojtjes dhe higjienës nuk janë më diçka e panjohur apo e pa planifikuar.

Ne ia dolëm sepse nuk vendosëm theksin tek ndëshkimi apo zënia në gabim. por tek solidariteti.

Dhe kësaj kërkese me gjithë vështirësitë apo inercitë e zakoneve të dashura të jetës sonë familjare e kolektive iu përgjigjën me mirëkuptim shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës.

Erdhëm së bashku deri këtu, me besimin e ndërsjellë.

Ndaj sot bashkë me këto njoftime për normalitetin e ri para nesh, theksojmë se rreziku nuk ka kaluar.

Ju e dini që as barna e as vaksinë nuk kemi ende, sepse kërkuesit shkencorë ende nuk i kanë zbuluar ato.

Por tani ne e dimë rrezikun që na rrethon dhe mund ta organizojmë jetën me këtë përvojë të krijuar edhe mund t’i përshtatemi normalitetit të ri.

E njëjta vlen dhe për sistemin shëndetësor në të gjitha nivelet.

Vendi ynë padyshim që rrezikohet nga valë të tjera të infektimit.

Gjithçka varet nga sjellja e përgjegjshme e secilit – kudo që punon e kudo që vepron.

Këta tre muaj shënojnë një stad të ri për vendin.

Sakrifikuam shumë që të mos gjunjëzoheshim dhe ia dolëm.

Në këmbë dhe solidarë.

Ju falënderoj edhe një herë për bashkëpunimin dhe vëmendjen.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj media të nderuara për ndihmën dhe për përçimin e mesazhit korrekt te qytetarët që ka qenë esencial bashkëpunimi dhe ndërlidhja juaj mes institucioneve tona dhe qytetarët në respektimin e rekomandimeve nga Instituti dhe masave të marra nga qeveria.