Shtetet mund t’i hapin kufijtë me fqinjët që kanë situatë të ngjashme të pandemisë

Shtetet mund t’i hapin kufijtë me fqinjët që kanë situatë të ngjashme të pandemisë

Vendet evropiane do të këshillohen që t’i hapin kufijtë me fqinjët që ndodhen në situatë të ngjashme sa i përket përhapjes së koronavirusit, sipas një plani që ka për synim rimëkëmbjen e sektorit të turizmit e që po diskutohet në Bruksel.

Pritet që Komisioni Evropian të mërkurën ta rekomandojë një proces me tri faza për hapjen e kufijve mes vendeve me nivel të ngjashëm të rrezikshmërisë nga pandemia, raporton faqja Euractiv, që e ka parë një draft të këtij plani.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Komisioni do të ofrojë përkrahje për të ashtuquajturat “korridore turistike”, me të cilat vendet anëtare do të bënin marrëveshje që t’i hapin dyert për turistët e njëra-tjetrës, shkruan “The Guardian”.

Zyrtarë të lartë të BE-së janë të vetëdijshëm se ata nuk mund t’ua ndalojnë qeverive të nënshkruajnë marrëveshje të tilla dypalëshe, por po vazhdojnë të bëjnë thirrje kundër trajtimit selektiv.

“Vendet anëtare nuk mund t’i hapin kufijtë për një shtet të BE-së, por jo për të tjerat.

Kjo është thelbësore”, tha komisionerja për punë të brendshme e BE-së, Ylva Johansson, para deputetëve të Parlamentit Evropian javën e kaluar.

Ndryshe, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, raportohet se janë duke punuar për arritjen e një marrëveshjeje, me të cilët do të mundësohej udhëtimi i lirshëm i qytetarëve mes dy vendeve gjatë kësaj vere.