Selmanaj: Vjosa Osmani duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën

Selmanaj: Vjosa Osmani duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në mbledhjen e sotme ka trajtuar mandatin e deputetit Etem Arifaj.

Kryetari i këtij komisioni Driton Selmanaj, tha se kanë kërkuar që të respektohet ligji që parasheh humbjen e mandatit kur një deputet dënohet me burgim.

Ai tha se edhe kërkesa e kryetares së Kuvendit, bashkëpartiakes së tij Vjosa Osmani, ishte e pabazë.

“Ishte e pabazuar dhe në kundërshtim me rregulloren e adresuar nga kryetarja e Kuvendit.

Ne si komision nuk trajtojmë çështjet gjyqësore të papërfunduara.

Ne do t’i japim një përgjigje ku i thamë se respekto ligjet dhe kushtetutën”, tha ai.

Ai ka thënë se në kërkesën e kryetares së Kuvendit nuk ka pasur asnjë referencë, e që sipas tij kjo nuk duhet të ndodh.

Në këtë komision është bërë edhe Shqyrtimi i kërkesës së deputetit Behgjet Pacolli për interpretim të detyrave dhe funksionit të deputetit si dhe pengimit në kryerjen e detyrave kushtetuese.

“Çështja e dytë e z.Behxhet Pacolli, kjo në fakt bie në mandatin e komisionit.

Ne dhamë vlerësimin tonë që të gjitha institucionet të mundësojnë ushtrimin e lirë të punës së deputetit Pacolli.

Asnjë institucion nuk duhet të pengojë një deputet.

Janë publike si është penguar z.Pacolli.

Ajo çka për neve është e rëndësishme është që deputetët të mos ndalohen.

Ata përfaqësojnë votën e njerëzve dhe duhet të respektojnë mandatin e tyre.

Arrestimet e deputetëve mund të ndodhin në regjimet tjera, jo në demokraci”, tha ai.