PREKËSE/ “Buka më mbeti në fyt, ah ç’na iku çuni”, babai invalid rrëfen si e mori vesh vdekjen e të birit 18-vjeçar

PREKËSE/ “Buka më mbeti në fyt, ah ç’na iku çuni”, babai invalid rrëfen si e mori vesh vdekjen e të birit 18-vjeçar

Një rrëfim tejet prekës ka bërë një baba shqiptar, teksa tregoi se si e mori vesh lajmin e kobshëm të vdekjes së djalit të tij adoleshent.

68-vjeçari Llazi Gjoni, i cili është invalid dhe dergjet në krevat prej sëmundjes, tregoi se ishte duke ngrënë teksa po dëgjonte lajmet ku dhe mësoi vdekjen e të birit 18-vjeçar.

Adoleshenti Edmond Gjoni u vra nga një i burgosur pas një kryengritje që ndodhi në burgun e fëmijëve në Avlona të Athinës.

“I thashë time shoqje ah na iku çuni. Është shqiptar ai që ka vdekur. Buka mu preh menjëhere dhe më ra loti kështu. Dy ditë më pas vjen një kushëri dhe na thërret. O xhaxhi Llazi shpejt mos rri asnjë sekond se të pret Dashi te posta. Kur erdhi ky po qante po bërtiste. Po prisnim se do flisnim me çunin jo se do të merrnim atë lajm”, u shpreh 68-vjeçari me lot në sy.

Ndonëse familja nuk mund ta besonte dot tragjedinë që u kishte ndodhur duke shpresuar që i biri të ishte gjallë, ata e pranuan realitetin e trishtë një javë më pas kur u erdhi trupi i tyre i pajetë.

“Që të premten që morëm atë lajm e deri të premten tjetër se ishin dhe Pashkët vetë e dimë se çkemi hequr, prit e përcill njerëz. Kur vinte ndonjëri, ata vinin për të keqen që ishte bërë, unë ju thosha do më thoni ndonjë fjalë të mirë”, u shpreh Olimbi Gjoni, nëna e Edmond Gjonit.

Nëna e Edmond Gjonit rrëfeu momentin e rëndë kur arkivoli hyri në shtëpinë e tyre.

“U çova në këmbë dhe nuk mbaj mend më se çfarë bëra. Më hodhën ujë u ngrita dola deri këtu. Ku do shkosh më thanë, do pres çunin thashë. Kur hyri çuni gjatë e gjërë, xhaxhait të çunit i ranë të fikët aty. Doja ta hapja, na kishte ardhur një letër që nuk do hapej, do rrinte vetëm pesë minuta brenda. I rashë sipër se doja ta hapja por nuk e hapa dot”, rrëfeu ajo.

“Se si kam dalë deri te dera aty që e prita që më erdhi, që pashë arkivolin se çfarë pashë unë. E kam pritur 7 ditë e shtatë netë. Ditën e fundit më doli në ëndërr, se plumbi e kishte marrë këtu”, u shpreh Llazi Gjoni, babai i Edmond Gjonit.

Në lidhje me vrasjen e 18-vjeçarit shqiptar asnjë polic grek nuk ka mbajtur përgjegjësi, ndërsa nëna e tij dyshon se i biri është vrarë qëllimisht pasi me policin që e ka qëlluar ka patur një debat më herët. Sipas saj, Edmondi ka kërkuar të lahet dhe ai e ka detyruar të lahet me ujë të ftohtë.

“Kërkoj që të bëj një ballafaqim me atë që më vrau djalin. Çfarë i thanë njëri-tjetrit që e vrau. Më kanë thënë që e goditi se gjeti rastin se ai kishte kërkuar për t’u larë dhe i kishte thënë lahu me ujë të ftohtë. Atë vetë me ujë të ftohtë e ka larë nëna? Ai sot patjetër që është bërë prind, ai me ujë të ftohtë e lanë fëmijën e tij? Dua vetëm një ballafaqim që të di se çfarë i thanë njëri-tjetrit që ngriti dorën gjakatari dhe e goditi me plumb”, u shpreh Olimbi Gjoni, nëna e Edmond Gjonit.