PDK-ja thotë se VV-ja qëndron pas “provave për protesta”: E papranueshme në kohë pandemie, presion mbi GJK-në

PDK-ja thotë se VV-ja qëndron pas “provave për protesta”: E papranueshme në kohë pandemie, presion mbi GJK-në

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për “provën për protesta” të mbajtur sot në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë dhe e ka quajtur organizim të Vetëvendosjes, ndonëse kjo e fundit nuk ka marrë përsipër këtë.

PDK-ja përmes një reagimi ka shprehur indinjatën, për siç ka thënë përpjekjet e VV-së për të organizuar protestë gjatë kohës së pandemisë.

Sot, në orët e pasdites, disa qindra qytetarë, kanë bërë prova për protesta, teksa janë rreshtuar duke mbajtur distancën sociale. Ky aktivitet është përcjell nga faqja në Facebook #meKryeministrin, që numëron mbi 310 mijë përdorues.

“Është e papranueshme që të tolerohet një aktivitet i tillë masiv publik në një kohë kur qindra mijëra qytetarë të Kosovës nuk mund të qarkullojnë lirshëm, nuk mund të shkojnë në punë, nuk mund të mblidhen për iftar me të afërmit e tyre apo të kryejnë rituale të tjera fetare, si dhe të zhvillojnë lirshëm aktivitete kolektive familjare e sociale”, thuhet në komunikatë.

PDK-ja vlerëson se kjo “protestë” po bëhet për të shkaktuar presion mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të vendosë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.