Kurti për Thaçin: Fatkeqësisht kemi një president idhnak, e ftoj të matemi në zgjedhje

Kurti për Thaçin: Fatkeqësisht kemi një president idhnak, e ftoj të matemi në zgjedhje

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka komentuar deklaratat e presidentit Thaçi në konferencën e sotme për media, ku ai akuzoi Kurtin dhe vartësit e tij për vdekjen e një të riu në qendrën e karantinës në Prishtinë.

“Fatkeqësisht kemi një president idhnak përplot vrer i cili ministrit të Shëndetësisë deshiron t’i bëhet mjek, ministrit të Punve të Jashmte t’i bëhet minister, mua si kryeminister në detyrë të më bëhet mbret, ndërkaq prokurorëve të ju bëhet gjykatës.

Kam përshtypjen se ai ka hyrë në një rrugë që shpreson se do t’i dhimbset popullit por kjo gjë varet nga populli”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu e ka ftuar Thaçin të matet me të në një garë zgjedhore.

Kurti: Presidenti është i frustruar, institucionet nuk janë të bllokuara

Kurti po ashtu ka thënë se presidenti është i frustruar dhe gjithë këto po i bën për fushatë zgjedhore.

“Institucionet nuk janë të bllokuara, qeveria punon më mirë dhe me shumë se çdo tjetër, unë po e theksoj sërish që presidenti i Kosovës nuk është i kënaqur me ulësen e tij dhe duhet ta lirojë atë.

Kemi një president të frustruar, si i tillë po bëhet gati për fushatën zgjedhore.

Unë mendoj se më e drejta kish me qenë dorëheqja dhe të vijë në fushatë sepse ashtu po sillet ashtu po flet. Institucionet nuk janë të bllokuara”, tha Kurti.

Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kurti në këtë konferencë tha se nuk beson që Gjykata Kushtetuese bie në kundërshtim me vetveten dhe nuk lejon presidentin me dekretet e tij të jetë autor i shkrimit të Kushtetutës.

“Gjykata Kushtetuese i ka aktgjykimet e mëhershme. Unë nuk besoj që bjen në kundërshtim me vetveten, nuk besoj po ashtu që lejon që dekretet e presidentit të jenë autor të shkrimit të Kushtetutës.

Ai duhet ta respektojë jo ta shkruajë Kushtetutën.

Nëse Kushtetuta ngelet e heshtur ato nuk mund t’i mbush presidenti me dekrete, besoj që nga ky gabim është shtuar edhe frustrimi i tij”, shtoi më tutje Kurti.