I ronovohet shtëpia nënës me 8 jetimat nga Malisheva. Lotë gëzimi (VIDEO)

I ronovohet shtëpia nënës me 8 jetimat nga Malisheva. Lotë gëzimi (VIDEO)

Ekipi i emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 udhëtoi sërish në Malishevë të Kosovës, në shtëpinë e zonjës Ajete Gegaj, aty ku varfëria, dëshpërimi dhe mungesa e shpresës, kishin “kapur për fyti” gjithë familjen, nënën dhe 8 fëmijët e saj.

Por këtë herë ndryshe nga një javë më parë, sytë e tyre qeshin, fytyrat kanë një gëzim që iu lexohet lehtë.

Për një javë shtëpia e familjes Gega u transformua plotësisht saqë as anëtarët e saj nuk e besonin se është shtëpia e tyre. Tashmë ata kanë shtretër të ngrohtë, ku ta bëjnë gjumin më të rehatshëm.

“E thirra çikën dhe i thashë, a jemi po në atë shtëpi apo jo? Po moj nënë këtu jemi më tha. Por po më duket sikur s’jam aty i thashë, më dukej krejt ndryshe, u habita”, tregon Ajetja.

“S’mundesha ta paramendoja që do bëhej kështu, më dukej vetja si në ëndërr. Si me qënë fjetë, a me u zgju prej ëndrrës apo çfarë jam duke bërë, a janë përnjimen këto që po shoh, a janë realitet?”, shprehet e emocionuar Hyra, vajza e madhe.

Menjëherë pas publikimit të halleve të familjes Gega në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” ka pasur reagime e telefonata të shumta nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kërkonin të ndihmonin këtë familje.

Fondacioni ‘Firdeus’, menjëherë e ka transferuar familjen në një ambient me qera për disa dite për të filluar punimet dhe kur familja u kthye, e gjeti shtëpinë të transformuar, me të gjitha orenditë e nevojshme për një jetë normale, gjë që ende nuk arrijnë ta besojnë.

“Kanë ardhur nga të gjitha anët, sapo e kanë marrë vesh, shumë kanë trokitur në derë. Shumë jemi gëzuar e prej asaj dite po më duket se edhe trupi s’më dhemb më, tani s’jam më sëmurë”- tregon nënë Ajetja.

Tashmë dëshira e fëmijëve të rritur është të punojnë.
Video