Hapen bizneset e fazës së dytë, kafiteritë ia rikthejnë gjallërinë Prishtinës

Hapen bizneset e fazës së dytë, kafiteritë ia rikthejnë gjallërinë Prishtinës

Që nga dita e sotme ka filluar aplikimi i fazës së dytë të masave mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë marrë vendim që masat mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit të aplikohen ne tri faza dhe kjo në bazë të numrit të të infektuarve.

Që nga dita e sotme, pra 18 maj e deri më 2 qershor do të zbatohet faza e dytë e lehtësimit të masave kundër përhapjes së COVID-19.

Në këtë fazë përfshihet funksionalizimi i disa bizneseve si, kafiterive, salloneve të ondulimit, etj,.

Hapja e kafiterive ia ka rikthyer gjallërinë Prishtinës dhe kjo më së miri është parë gjatë ditës së sotme.

Pavarësisht se kafiteritë lejohen që të punojnë vetëm me ‘Take Away’, apo merre me vete, disa prej tyre kanë vendosur tavolina në tarracë të lokaleve për t’iu shërbyer klientëve.

Shpat Hashani, pronar i kafiterisë ‘Babel’, ka thënë për lajmi.net, se aktualisht janë duke punuar vetëm me 30 për qind të stafit dhe shpreson që shumë shpejtë të bëhen ndryshme dhe të lejohet që të shërbehet edhe brenda lokalit.

Sipas tij, nëse kjo do të ndodhë atëherë ai do të mund të punojë me kapacitet të plotë dhe të gjithë punëtorët do të riktheheshin në punë.

“Kemi filluar sot me këtë fazën e dytë që veç me marrë me vete apo “take away” qysh po i thonë.

Kjo është një lloj ndihmese, por jo edhe e madhe sepse duke ia nis prej stafit të reduktuar, do me thënë tash e kemi filluar vetëm me 30 për qind të stafit dhe s’besoj që do të ketë nevojë më shumë.

Kanë filluar edhe njerëzit me qarkullua pak ma shumë dhe me u vetëdijesua për këtë punë, por prapë njerëzve-qytetarëve po iu mungon atmosfera brenda e lokaleve edhe po shpresoj që do të hapen sa ma shpejt dhe të fillojmë punën siç është më së miri”, u shpreh Hashani për lajmi.net./Lajmi/

Shiko Fotot: