Çfarë duhet të bëjë njeriu që të shpresojë tek shpërblimi i Zotit të tij?

AddText 02 21 03.38.15 696x398 1

Çfarë duhet të bëjë robi që të shpresojë te shpërblimi i Zotit të tij?

Allahu i madhëruar thotë në Kuran: “Ai i cili shpreson takimin me Zotin e tij, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë Atij askënd në adhurim“(Sure El-Kehf: 110)

▪️Shpërblimi që Allahu i madhëruar u ka ofruar robërve të Tij është Xheneti, në të cilin ka prej mirësive: atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as në mendje kujt nuk i ka shkuar, shoqëruar me rini që nuk vjetrohet e jetë që nuk mbaron kurrë.

▪️Në këtë ajet, Allahu i lartësuar i ka vendosur robit të Tij dy kushte që ai të shpresojë te ky shpërblim i madh: të punojë vepra të mira dhe ti bëjë ato me sinqeritet për Të.

– Të punojë vepra të mira do të thotë të bëjë veprime sipas porosive të Allahut dhe të Profetit të Tij:
As ti kundërshtojë ata për të bërë të kundërtën e asaj që ata kanë porositur si lënia e detyrave të Zotit apo veprimi i të ndaluarave të Tij.
Dhe as të afrohet tek Ai me vepra që ata nuk i kanë ligjësuar siç bëjnë murgjit dhe adhuruesit e popujve të padijshëm.
Kush vepron ndonjërën prej tyre veprimi i tij quhet jo i mirë dhe për pasojë ai e ka shkelur kushtin e veprave të mira.

– Ndërsa të bëjë vepra të sinqerta për Të do të thotë të mos ketë pjesë në to askush veç Allahut: as si mushrikët të cilët në veprat e tyre adhurojnë edhe Allahun edhe idhujt e tyre dhe as si hipokritët që bëjnë vepra për syefaqësi e për tu dukur. Kush vepron ndonjërën prej tyre veprimi i tij quhet jo i sinqertë dhe për pasojë ai ka shkelur kushtin e sinqeritetit.

▪️Bazuar në këtë ajet në të cilin përmenden këto dy kushte: kushti i sinqeritetit dhe kushti i veprës së mirë apo saktësia e saj e thënë ndryshe, thoshte dijetari i hershëm dhe i mirë i selefëve Fudejl bin Ijadi –Allahu e mëshiroftë-:
“Nëse puna është e sinqertë por jo e saktë (dmth: jo e mirë) nuk ka për tu pranuar. E nëse puna është e saktë, por jo e sinqertë nuk ka për tu pranuar. Puna pranohet vetëm kur është edhe e sinqertë edhe e saktë. E sinqertë do të thotë të jetë për Allahun dhe e saktë do të thotë të jetë sipas sunetit (udhëzimeve profetike)”.
– Për rëndësinë e këtyre kushteve, Umeri -radiallahu anhu- kur lutej, thoshte:
“O Allah, bëji të gjitha punët e mia të mira dhe bëji ato për fytyrën Tënde të sinqerta dhe mos i bëj pjesë në to askujt veç Teje!”

Dr. Abdullah Nabolli