“Politika diskriminuese ndaj Çairit, duke e tipizuar atë si zonë të rrezikshme, nuk ka të ndalur në 30 vitet e fundit.
Në vitet e ‘90-ta ishte paraqitja me dukuritë negative si droga, vrasjet… Në atë periudhë u arrit bllokimi dhe degradimi i Çarshisë deri në zhvlerësim të plotë të saj, që nga mbyllja e Urës së Gurit për disa vite, e deri në mbylljen e hyrjes së Çarshisë nga hyrja jonë

Nëse e kthejmë kokën pas, që nga ngjarja e Bit Pazarit (1992), “kronika e zezë” vazhdimisht e apostrofonte Çairin si burim të ndytësirave të ndryshme shoqërore.
Ne vitet 2000 ishin incidentet me vrasje dhe konfliktet ndëretnike, gjithmonë të precizuara me lokacion në këtë pjesë të Shkupit dhe natyrisht shpeshherë duke e përmendur nacionalitetin në titujt e lajmeve.

Vijuan pastaj me betonizimin dhe degradimin urbanistik, ashtu që nga çairi (kopsht) e shndërruan geto të bunkerosur betoni.
E tani… tani e kanë gjetur një mënyrë tjetër të fajësimit të shqiptarëve të kësaj pjese – përhapjen e virusit Covid 19.

Viktima është e njëjtë, akuzuesi është i njëjtë. Vetëm një gjë dallon: në të kaluarën bashkëpunëtorët e fajësimit kolektiv të shqiptarëve fshiheshin nga publiku, kurse tani propagandën anti-Çair (anti shqiptare) e bëjnë hapur, madje të ndihmuar nga disa shqipfolës”, ka shkruar kryetari i degës Çair të AlternAtivA-s, Bekim Sali.