A do të hapen xhamitë e Kosovës për këtë të premte?

A do të hapen xhamitë e Kosovës për këtë të premte?

Muaji i Ramazanit po shkon drejt fundit, por, këtë vit dyert e xhamive nuk kanë qenë të hapura për shkak të pandemisë COVID 19, që ka përfshirë gjithë botën.

Mosfaljen e namazit në xhami, shumë keq e kanë përjetuar besimtarët myslimanë, të cilët po detyrohen të falen nëpër shtëpitë e tyre.

E, lajme të mira për nisjen e hapjeve të xhamive po vijnë nga rajoni.

Maqedonia dhe Shqipëria janë dy shtetet që kanë nisur hapjen e xhamive, por jo edhe Kosova.

Por, në Kosovë, ende nuk është diskutuar nëse xhamitë do hapen apo jo.

E, për këtë në një prononcim për Syri.net Kosova kanë folur zyrtarë nga BIK-u, ku thonë se ende nuk ka asnjë vendim në lidhje me hapjen e xhamive.

“Deri në këto momente nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me hapjen e Xhamive në Kosovë për këtë të premte apo për festën e Bajramit.

Në momentin që do të ketë diçka, Myftiu Naim Tërnava do të del me një qëndrim publik”, ka deklaruar BIK-u.

Besimtarët myslimanë kanë kërkuar që në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit t’iu drejtohen xhamive për të falur namazin e tyre.

Sipas Bashkësisë Islame për një vendim të tillë duhet të bashkëpunojmë ngushtë me IKSHPK-në, për mënyrën dhe kohën se kur do të na lejohet që të kthehen në xhamitë e tyre besimtarët.

Ndërkohë, imami i Kosovës,Sabri Bajgora ka deklaruar se vazhdimisht po punohet me autoritetet e shëndetit publik që së paku namazi i Fiter Bajrami të falet nga besimtarët.

Lidhur me këtë Bajgora ka deklaruar se është duke u biseduar që ky namaz në kryeqytetin e Kosovës të falet në një hapësirë të jashtme publike siç është stadiumi “Fadik Vokrri”, ose njëri nga sheshet e kryeqytetit.

E, në lidhje me faljen e Fitër Bajramit për Syri.net Kosova ka folur edhe kryetar i BIK-ut në Drenas Valon Bequku.

“Nuk e dimë ende, por që mbesim me shpresë se gjendja për çdo ditë po përmirësohet, fjala është sa po dëgjojmë në mjete të informimit dhe ndoshta të paktën javën e fundit të mundësohet hapja e xhamive.

Kjo do të ishte shumë e mirëseardhur për ne dhe namazfalësit”, ka thënë Bequku.