Lajmi Fundit
Lajm i trishtë/ Ndërron jetë profesori i njohur shqiptar
Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, Profesor Fehim Ramadani.
Ai ështe një nga pishtarët e arsimit të Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut e veçanërisht në Kumanovë si dhe një nga figurat patriotike shqiptare.
Pofesori, Fehim Ramadani lindi më 25 Gusht të vitit 1936 në Sllupçan të Kumanovës, ku mbaroi dhe shkollën fillore.
Shkollën e Mësuesisë, Profesor Ramadani e kreu në Shkup, ndërsa studimet diplomatike i vazhdoi në Shkup dhe Prishtinë në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik.
Ramadani filloi mësimdhënien në shkollën “Jeta e Re” në Sllupçan si një ndër mësuesit e parë të Gjuhës Shqipe dhe më pas për 8 vite me radhë ishte drejtor i kësaj shkolle.
Gjatë kësaj periudhe bëri reforma drastike në Kumanovë duke iniciuar shkollimin masiv në Gjuhën Shqipe të brezave të rinj në përgjithësi, e të vajzave në veçanti.
Profesor Ramadani ishte themelues i korit dhe orkestrës së parë të nxënësve në komunën e Likovës duke bërë kështu promovimin e vlerave artistike shqiptare në këtë rajon.
Më vonë, ushtroi detyrën e profesorit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në gjimnazin “Goce Dellcev” në Kumanovë.
Gjatë gjithë jetës si arsimtar ai ishte simbol i rezistencës patriotike dhe organizimeve të shumta atdhedashëse. Për këtë motiv, ai u përndoq politikisht dhe u burgos disa herë nga pushteti i atëhershëm maqedon për t’u larguar nga puna si mësues përfundimisht në vitin 1981.
Pavarësisht sfidave, Profesor Ramadani do të mbahet mend për profesionalizmin në punën e tij për përçimin e dijeve te shumë breza shqiptarësh në Maqedoninë e Veriut.
Varrimi i Profesor Fehim Ramadanit bëhet nesër, me datë 15.06.2023 në varrezat e fshatit Opajë të Kumanovës.
